Si ta mbroni zemrën nga ndryshimi i klimës

12/08/2008 01:10

Luhatjet e temperaturave, rritja e përqendrimit të lagështirës në ajër, i ftohti, pro dhe ndryshimi i stinëve shtojnë problemet te personat që vuajnë nga zemra.
Por cilat kategori kardiopatësh janë të predispozuar për të pasur probleme që lidhen drejtë për drejtë me mjedisin e jashtëm? Çfarë u këshillohet këtyre personave për t’i parandaluar këto probleme? Ja se çfarë thotë mjeku kardiolog, Llesh Rroku, në një intervistë për gazetën “Panorama”:

A është e vërtetë që luhatjet e theksuara të temperaturës, i ftohti, përqendrimi i lagështirës në ajër, shtojnë problemet te personat që vuajnë nga zemra?
Po, kjo është e vërtetë. Dihet që mjedisi i jashtëm influencon shumë në sëmundjet e zemrës. Karakteristikat e ajrit si i ftohti, temperaturat e ulëta, po ashtu dhe luhatjet e saj shkaktojnë probleme me zemrën. Kjo, sepse temperaturat e ulëta çojnë në ngushtimin e enëve të gjakut dhe për pasojë ka një shtim të rezistencës vaskulare periferike, që tentojnë të rrisin vlerat e presionit të gjakut. Këto probleme janë të theksuara në stinën e verës dhe të dimrit, por dhe luhatjet e ndjeshme të temperaturës, karakteristike për ndryshimin e stinëve, mund të shtojnë problemet tek këta pacientë.

Cilat kategori kardiopatish janë më të predispozuar të kenë probleme?
Kontingjenti i kardiopatëve që duhet të ketë më shumë kujdes janë personat e prekur nga sëmundjet e arterieve koronare, ata që kanë kaluar infarkt të miokardit, të sëmurët me tension arterial të lartë dhe ata që paraqesin aritmi të ndryshme.

Çfarë u këshillohet këtyre personave për të parandaluar problemet dhe më pas për t’i trajtuar ato?
Personat kardiopatë duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë gjithë vitit. Por, në stinë të veçanta, ky kujdes duhet të jetë më i lartë. Kështu vazhdimisht i kemi këshilluar të sëmurët tanë që kur ka temperatura të ulëta të tregohen mjaft të kujdesshëm, sepse në këto ditë rritet metabolizmi, shtohen spazmat koronare e papritura. Këtyre të sëmurëve në këtë periudhë u këshillohet të kufizojnë daljet në ditët e ftohta, të vishen mirë kur dalin jashtë dhe mbi të gjitha të mos harrojnë asnjë vakt medikamentet. Gjithashtu u rekomandojmë që në regjimin ushqimor të marrin më shumë kalori ushqimore, të eliminojnë kripën dhe të marrin pak doza alkooli, 300 gramë verë të kuqe pse 50-60 gramë alkooli, kjo sepse ndihmon punën e koronareve, për yndyrnat dhe për kolesterolin. Këshillë tjetër që u jepet këtyre personave është të mos ndërpresin përdorimin e aspirinës.
Ky kujdes duhet të vazhdojë dhe më pas kur temperaturat të rriten, sidomos në stinë e verës. Kur temperaturat shkojnë mbi 36 gradë celsius. Këta duhet të tregojnë kujdes, sidomos në periudhën e plazhit, duke evituar futjet e menjëhershme në ujë dhe orët e pikut, kur temperaturat janë shumë të larta. Në këtë periudhë të vitit u rekomandohet përdorimi i ushqimeve me kripë, shumë lëngje dhe fruta-perimeve, por nuk u rekomandohet alkooli.

Si mund të parandalohen këto sëmundje?
Sëmundjet e zemrës sot zënë një vend shumë të rëndësishëm në sëmundshmërinë e përgjithshme. Vendin e dytë pas sëmundjeve kancerogjene. Sëmundjet e zemrës shfaqen në shumë forma si sëmundjet reumatizmale, që prekin nodulet e zemrës dhe muskulit po ashtu të enëve koronare, enëve që ushqejnë zemrën, sëmundjet e lindura të saj. Duhet të njihen mirë shkaqet që çojnë në shfaqjen e probleme të zemrës, që të luftohen më mirë ato. Gjithsesi, do të rekomandoja kujdes për shfaqjen e tensionit arterial, luftë kundër diabetit, dislipidemisë dhe mbipeshës. Lufta duhet të bëhet në mënyrë frontale me dipistime masive dhe me anë të medikamenteve. Mbi të gjitha kërkohet nj lidhje e vazhdueshme mes pacientit dhe specialistëve: kardiologut, endokrinologut dhe patologëve.

Personat e rrezikuar
personat e prekur nga sëmundjet e arterieve koronare
personat që kanë kaluar infarkt të miokardit
të sëmurët me tension arterial të lartë
personat që paraqesin aritmi të ndryshme

Studimi
Vaji i ullirit parandalon infarktet dhe tumoret

Konsumimi i rregullt i vajit të ullirit, mund të përbëjë një luftë natyrore kundër infarkteve dhe tumoreve, sepse pengon oksidimin e ADN-së dhe mplakjen e qelizave. Të paktën ky është përfundimi i dy studimeve paralele të kryera nga studiuesit italianë. Studimet e kryera mbi dy kampione të ndryshme, kanë treguar se funksioni antioksidues i fenolëve, agjentëve kimikë natyralë që ndodhen te ullirit, është i tillë që ka veti mbrojtëse si ndaj sëmundjeve kardiovaskulare (infarkti, iktusi dhe trombozat), ashtu dhe mbi sëmundjet degjenerative (tumoret, sëmundja e Alzaimerit). Studimet janë kryer nga dy ekipe të ndryshme. I pari i udhëhequr nga profesor Claudio Galli, ka synuar të vlerësojë efektet e konsumit të vajit të ullirit në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare (infarkt, iktus dhe tromboz). Tjetri, i kryer nga profesorët onkologë të Firences janë përpjekur të hedhin ditë mbi efektet e vajit të ullirit mbi parametrat e oksidimit të ADN-së dhe mplakjen e qelizave, dëmtim që çon në shfaqjen e tumoreve. Personat pjesëmarrës në studim, kanë përdorur në faza të alternuara prej 8 javësh (për dy vjet) vaj ulliri të dy tipeve: një me bazë të lartë fenolesh dhe tjetri me nivel të ulët. Studimet kanë hedhur dritë mbi efektin mbrojtës të fenolëve mbi sistemin kardiak dhe parandalimin e tumoreve

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja