Shejh Ahmed Shkodra (1881-1927)‏

24/05/2009 19:09

Shejh Ahmed Shkodra është një figurë e shquar fetare e kombëtare, është një figure impozante dhe shumë interesante.

Lindi me 16 mars 1881 në Shkodër, në një familje me rrënjë fetare, intelektuale, atdhetare…Është djali i Mulla Muhamedit apo Mulla Muhos, siç njihet në popull.

Mulla Muhamedi ishte hoxhë, imam, ka shërbye edhe si myderriz (professor) dhe myfti. Ishte djali i Shejh Hasanit…

Pra, Shejh Ahmed Shkodra babën e kishte hoxhë, kurse gjyshin shejh e hoxhë, këtë e shënoj, e përjetësoj penda e tij, në një poezi:



”Gjyshi im ish me randsi

Dervish dhe Imam n’xhami

i urtë e trim si luan

ish i zoti për tagan”





Shejh Ahmed Shkodra, me babën imam, hoxhë, me gjyshin dervish, shejh, imam, duket se paraardhësit me besnikëri i trashëgoi, por ndoshta me veprimtari ju tejkalojë…!

Shejh Ahmedi ishte fetar e atdhetar, poet, shkrimtar, mësues, hoxhë, imam në xhami dhe më në fund: Shejh i tarikatit Rifa’i…Si ndodhi kjo? Kur do Zoti-çdo gjë bëhet.

Në vendlindje, në Shkodër, i kreu mësimet fillestare dhe ato të mesme, kurse studimet e larta në Iran, ku qëndroj shtatë vjet...

Kur u kthye në vendlindje, në fillim shërbeu si mësues besimi, në shkollën fillore në Parrucë të Shkodrës, ku i mësonte

nxënësit me përkushtim rreth Krijuesit, Fjalës së Tij, Kur’anit, besimit të Tij, Islamit, pejgamberit të Tij, Alejhisselamit…

Në vitin 1911, Shejh Ahmed Shkodra u caktue të shërbente si hoxhë, imam, në Xhaminë e lagjes “Shabanej”, kurse në vitin 1916 e themeloj Teqen e Tij, të Tarikatit Rifa’i…

Për të ushtruar të drejtën për veprimtari në tarikatin Rifa’i, duhet Ixhazetnameja, Hilafetnameja apo vërtetimi-leja, siç duhet edhe tek tarikatet tjera, të cilën Shejh Ahmed Shkodra e mori në Gjakovë, nga shejhu i mirënjohur Haxhi Shejh Musaja.

Haxhi Shejh Musaja (1855-1917) ishte një burrë i ditur, i ndritur, kishte studiuar në Stamboll, prej atyhit nga Shejh Ibrahimit, i Teqesë së Rifai’ive të Stambollit, kishte marrë Hilafetnamenë dhe ishte dërguar misionar në Gjakovë, në vitin 1875, ku ishte pritur me dashamirësi…

Në vitin 1882, Haxhi Shejh Musaja, me ndihmën e disa ylemave të Gjakovës e të popullit, e ndërtoj një teqe madhështore, e cila është “Asetane” “Nana e Teqeve” e Tarikatit Rifa’i, ku pas Shejh Musasë ka shërbye i biri, Shejh Ademi (1896-1938), Shejh Danjolli (1911-1981), Shejh Lutfiu dhe tani është i biri i tij, Haxhi Shejh Masari, kurse vllau i tij, Shejh Hajdari, shërben në Teqen Rifai’i, buzë Valbonës, në Gri, Shqipni…

Në fillim, Shejh Ahmed Shkodra në veprimtarinë e tij, për përhapjen e Tarikatit Rifa’i, pati ofendime, sulme, kundërshtime….Por, me kalim kohe, duke i përballue këto me durim, besim, mençuri, maturi…, Tarika Rifa’i filloi të përhapet nga Shkodra, në Veri, Gegni, deri në Gjirokastër, në Jug, në Toskëri…

Por, ajo që e bëri Shejh Ahmed Shkodrën të paharruar, përveç tjerash, është fjala e tij e shkruar…

Në vitin 1926, në ribotimin e librit “Këshilli i Atdheut”, Shejh Ahmed Shkodra informonte lexuesit, nëpërmjet mbulesës së fundit se: “Librat që janë gati për t’u shtyp”. Lista përmban 22 tituj, të cilët janë:

1.Të ramit e të Madhit t’onë në bark të Nanës

2.Të lemit e të Madhit t’onë e madhniet e tij

3.Të njitunit e të Madhit tone në Qiell

4.Zani i Dervishëve

5.Zani i Rifais

6.Istoria e Ehli Bejtit…

7.Këshilli i Dervishit

8.Zani i Alisë

9.Të lemit e Imam Alis

10Ligjet e Rifaiive

11.Fabrika e Zotit (qoftë livdue)

12.Fabrika e vogël

13.Shekulli i vogël

14.Të lemit e gjithsis me kunorë të Perendis

15.Këshilla të nalta (filozofina fetare)

16.Të lemit e Zojë Fatimes

17.Mrekullinat e plakut t’onë

18.Rregulli i qeveris (hija e Perendis)

19.Madhnija e Naltsija e Ehli Bejtit

20.Barka e Nuhit (lavdi qoftë mbi të)

21.Rruga e drejtë, Kur’ani e Ehli Bejti

22.Këshilli Kombëtar





Vetëm librat mjaftojnë, vetëm titujt e tyre dëshmojnë, se çfarë personaliteti ishte Shejh Ahmedi…

Shejh Ahmedi u da nga kjo jetë, kaloi në jetën e vërtetë, me 17 shkurt 1927. U varros në Shkodër, pranë varrit të Haxhi Sheh Shamisë, ku muerr pjesë gati gjysma e Shkodrës e personalitete të krejt Shqipnisë…



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja