Për motrën e cila nuk është mbuluar akoma(Muslimanja)
08/11/2008 17:55Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar si dhe paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhammed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, mbi gratë e tij të ndershme dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë deri në ditën e fundit.
Motër e dashur:
Selami, mëshira, begatia e Allahut qofshin mbi ty.
Selami nga Ai i cili krijoi qiejt, tokën, shpendët dhe lulet.
Selami nga Ai i Cili na i krijoi sytë, gjuhën dhe veshët.
Selami nga Ai i Cili sikur të uleshim së bashku e t’i numëronim të mirat e Tij të cilat na i ka dhuruar nuk do të mjaftonin edhe nëse qëndrojmë njëqind vite.
Ky shtë Zoti i krijesave i Cili krijoi dhe përcaktoi.
Ai është i Cili e din se dashuria e tij e ka mbushur zemrën time dhe tënden.
Allahu e shtrin dorën e Tij në cdo natë për t’u penduar mëkatarët e ditës, me bujarinë e Tij kthehet dhe e vepron këtë edhe gjatë ditës, gjithashtu për t’u penduar mëkatarët e natës.
Më thuaj motër, a lejohet pasi që Allahu na ka krijuar të adhurojmë dikë tjetër, na ka begatuar me rrisk dhe të falënderojmë dikë tjetër, të mirat e Tij të zbresin mbi ne dhe të këqiat tona të gjiten te Ai….? A nuk është Allahu i Cili na begaton me të mira e Ai është i pasur dhe nuk ka nevojë për ne, e bëjmë veten tonë të urryer te Allahu me veprimin e veprave të këqia e ne jemi të varfër dhe kemi nevojë për të qoftë për sendin më të vogël.
Nëse pendohemi, Ai është i dashur për ne, sepse Allahu i don penduesit dhe të pastërit “Allahu i don ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme” (El Bekare: 222). Nëse nuk pendohemi Ai është shërues për neve, na sprovon që të na pastrojë nga mëkate.
Një e mirë tek Allahu është sa dhjetë të mira deri në shtatëqind sevape e më shumë, ndërsa një e keqe te Ai llogaritet një, nëse pendohemi për atë të keqe që e kemi vepruar atëherë Ai na e falën atë, shpërblen për punë të mira të vogla dhe falë shumë prej gabimeve tona, mëshira e Tij i ka paraprirë hidhërimit të Tij, falja i ka paraprirë ndëshkimit të Tij, Ai është i mëshirshëm për robërit e Tij më shumë se nëna për fëmijën e saj.
Pashë Allahun më thuaj motër: A ka pas këtij të dashuri të dashur, pas këtij shëruesi, shërues dhe pas këtij të afërmi të afërt.
Kush e posedon mëshirën e tillë, kush e posedon durimin e tillë, kush e ka faljen e tillë? A nuk meriton që adhurimi i Tij të jetë adhurimi më i merituar, a nuk meriton që të jetë bindja e tij bindja më e merituar, a nuk meriton që dashuria ndaj Tij të jetë dashuria më e madhe dhe mbi cdo dashuri tjetër?!
Jam e sigurt se do të thuash: “Po“.
Atëherë motër e dashur, Allahu i Cili më ka krijuar mua dhe ty, më ka mbrojtur mua dhe ty, më ka begatuar me të mira mua dhe ty, eja që të afrohemi tek krijuesi, furnizuesi jonë i Cili me sendin më të vogël me të cilën afrohemi te Ai është të përmbajturit e mbulesës sipas sheriatit, mbulesë e cila është nder, pastërti, ngritje, dhe dallimi që na ka nderuar Allahu neve muslimaneve me të.
Motër e dashur, nuk i shkrova këto fjalë për tjetër pos që të dua për hir të Allahut, frika dhe kujdesi për të mirën tënde, prandaj të lutem që ta lexosh deri në fund këtë mesazh se nëse nuk të bën dobi në dicka, patjetër që nuk të dëmton, nëse të bën dobi kjo është dhunti nga Allahu, mos harro që ta falënderosh dhe mos më kurse nga duatë sepse të gjithë jemi të varfër te Allahu.
Motër e dashur përse nuk e veshën mbulesën?
Do t’i përgjigjem pyetjes tënde. Të themi se ti dëshiron që ta shtysh këtë derisa të martohesh. A i ka ndaluar mbulesa femrat prej martesës? A je e sigurt se bashkëshorti i cili të ka zgjedhur ty për grua duke qenë ti e zbulur se do të pranojë që ti të mbulohesh pas martesës? A je e sigurt që është njeri besimtar e ai të ka zgjedhur duke qenë ti e zbulur? A je e sigurt se do të jetosh derisa të martohesh? Nëse Allahu nuk ta ka përcaktuar që të martohesh kur do të mbolohesh? Ndoshta thua: “Unë nuk dukem e bukur me shami“ Kush ta ka thënë këtë ty? Përkundrazi ti me shami je më e bukur, a e din pse? Sepse fytyra jote do të ndricojë me nurin e imanit (besimit), me kënaqësinë e Allahut ndaj teje do të jesh e nderuar më shumë, Allahu do të lëshojë në zemrat e njerëzve pranimin dhe dashurinë për ty si shkak i bindjes së Tij.
Është një gjë e rëndësishme motër, ai i cili do të zgjedhë ty për grua nuk do të zgjedhë formën e falsifikuar dhe fytyrën e mbushur me krema dhe pudër, atij të cilit i pëlqen pa grim, do t’i shtohet pëlqimi në ty kur të grimosesh dhe anasjelltas.
Të kalojmë te cështja tjetër motër e dashur, të themi se ti ndien kënaqësi nga shprehjet e pëlqimit të cilat t’i thonë meshkujt, kjo a ta ngren vlerën tënde apo përkundrazi? A pranon që të shndërrosh veten në tërheqjen e shikimeve dhe shprehjeve të pahijshme? A prej tyre është burri i cili ti mendon se bën që të jetë bashkëshorti yt dhe babai i fëmijëve të tu? A je mashtruar në pamjen e tyre të turpshme dhe personalitetin e tyre të pa vlerë? Ti je më e shtrejtë, më e nderuar, që të jesh prej tyre, ruaje veten, vlerën dhe parimin tënd me mbulesën.
Allahu ka dashur që ne të kemi vlerë. A ka ndodhur që të shikosh thesarë, xhevahir, diamant ose margaritar të paruajtur ose të hedhur në rrugë.
Në skaje të rrugës hidhen vetëm ato gjëra të cilat nuk kanë vlerë. Me kë dëshiron që të jesh? Nuk mendoj se dëshiron që të jesh me tjetër pos me të vlefshmet, sepse ti je e vlefshme me fen tënde, e vlefshme me imanin (besimin) tënd… e vlefshme me turpin tënd, e vlefshme me nderin tënd. Edhe nëse ngrihen zërat e atyre që janë të pafe të cilët nuk dëshirojnë tjetër vetëm se të jesh e zhveshur nga gjërat më të shtrenjta dhe më të vlefshme dhe më të dashura për zemrën tënde… mbulesa jote… e cila bartë kushtrimin e shkruar në të: Unë jam e pastër, unë jam e ngritur, unë jam e shtrenjtë, unë jam e vlefshme, unë jam e ndershme.
Motër e dashur në bindjen ndaj Allahut ka ëmbëlsi në zemër, do ta provosh atëherë kur të deklarosh largimin nga bindja e shejtanit dhe t’i bindesh vetëm urdhërave të Zotit.
Mbulesa ka dobi të shumta të cilat do t’i gjesh kur t’i përmbahesh mbulesës së sheriatit, do të zgjerohet gjoksi, do të ndricohet zemra, do të rehatohet e brendshmja, do të lehtësohen brengat, Allahu i Lartsuar thotë: “Kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare” (Et Talak: 2-3). Dhe thotë: “E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën” (Et Talak: 4). Ky është premtim prej Allahut i Cili nuk e thyen premtimin, pra cfarë po pret?
Motër bëhu prej besimtareve se pasha Allahun nuk do të pendohesh asnjëherë, nxito në atë që e kënaqë Allahun si dhe bëhu e kujdesshme që mos të duket asnjë pjesë nga trupi yt, bëje këtë për hir të Allahut që Allahu të jetë i kënaqur me ty dhe do të shikosh në ditën e kijametit se kush do të jetë i shpëtuar.
Po e përfundoj me një pyetje të thjeshtë. Kur të ringjallemi ditën e kijametit, kur të dalim para Zotit të krijesave, a je përgatitur për këtë ditë në të cilën njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet…
A është dikush prej atyre të cilët kanë shikuar në ty dhe janë kënaqur me simpatinë, personalitetin tënd, bukurinë tënde, a është dikush prej tyre i gatshëm që të japë ty qoftë edhe fare pak prej të mirave të tij ose të marrë prej teje qoftë edhe një pjesë të vogël prej mëkateve të tua që të shpëtosh nga ndëshkimi i të zbuluarit tënd, t’i shpëtosh flakës sulmuese të zjarrit të xhehennemit? … Përgjigjjen e kësaj pyetje po ta lë ty!
Përgatiti: Merita Rexha
———
Back