Leximi i Kuranit pa abdest

17/10/2008 21:14

 

Fukahatë janë në ujdi (ixhma) se është i lejuar leximi i Kuranit përmendësh pa abdest, por abdesti në këtë rast është i preferuar (mustehab).1
Imam Neveviu, në një libër që flet rreth normave të leximit të Kuranit, të quajtur “Et-Tibjan fi adabi hameletil Kuran”, thotë: “Preferohet që Kurani të lexohet me abdest, por edhe nëse lexohet pa abdest është e lejuar dhe këtë mendim e ndajnë të gjithë ulematë.”
Po ashtu, ai në një libër tjetër të tij, “El mexhmu”, thotë: “Të gjithë muslimanët janë të mendimit se lejohet leximi i Kuranit pa abdest, mirëpo më mirë është që të marrim abdest për këtë.”
Nga këto citate të lartpërmendura vërejmë se dijetarët në këtë kanë ixhma (konsensus). Argumentet që aludojnë për lejimin e leximit të Kuranit pa abdest janë të shumta, por ne do të përmendim disa:

Së pari: Argumente nga suneti i Muhamedit salallahu alejhi ue selem:
1. Transmeton Kurejbi, robi i Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se atij i ka treguar Ibën Abasi se me një rast ai kishte bujtur te tezja e tij, Mejmuneja (e cila ishte grua e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem). Ai kishte rënë të flinte në një jastëk me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem. Ibën Abasi tregon se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem kishte fjetur deri nga mesi i natës, pastaj ishte zgjuar dhe me duart e tij filloi të largonte gjumin nga fytyra. Pastaj ai lexoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, u ngrit, mori abdest në mënyrën më të mirë dhe filloi të falet. Ibën Abasi thekson se edhe ai veproi ashtu si kishte vepruar Muhamedi salallahu alejhi ue selem.2
Në këtë hadith vërejmë se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka lexuar dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran pasi është zgjuar nga gjumi dhe pastaj ka marrë abdest për namaz. Nga kjo argumentohet se leximi i Kuranit përmendësh edhe pa abdest është i lejuar.

2. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e përmendte Allahun në çdo kohë.”3
Edhe nga ky hadith shohim se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka përmendur (kujtuar) Allahun në çdo kohë, që do të thotë se ky hadith është i përgjithshëm dhe këtu hyn edhe leximi i Kuranit, sepse Kurani është dhikri (përmendja) më i mirë dhe preferohet të bëhet në çdo gjendje, përveç rasteve kur është i ndaluar leximi i Kuranit, si për shembull rasti kur njeriu është xhunub. Pra, edhe ky është një argument se lejohet leximi i Kuranit në vete edhe pa abdest.

3. Abdullah bin Seleme thotë: “Kur kemi hyrë te Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, unë dhe dy burra prej fisit tonë dhe një burrë prej fisit Beni Esed, Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ktheu kokën dhe na tha: “Ju të dy jeni të fortë, prandaj forconi fenë tuaj.” Më pas ai hyri në një kthinë të dhomës, mori një enë me ujë, i futi duart në të dhe i lau, pastaj filloi të lexonte Kuran. Ne nuk u pajtuam me Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të, për këtë (se lexoi Kuran pa marrë abdest), e ai tha: “I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem, kur ka dalë nga banja, ka lexuar Kuran, ka ngrënë me ne mish dhe asgjë nuk e ka penguar nga leximi i Kuranit përveç xhunubllëkut.”4

Së dyti: Argumente nga praktika e sahabëve:
Transmeton Ebu Garif El-Hamdhani: “Ishim me Aliun radiallahu anhu në Ruhbe (fshat gjatë rrugës prej Kufës për në Mekë). Ai shkoi në fund të këtij fshati dhe për Zotin nuk e di nëse ka kryer nevojën e vogël apo të madhen, pastaj mori një enë me ujë, i lau duart e tij dhe lexoi një pjesë të Kuranit dhe tha: “Lexoni Kuran përderisa nuk jeni xhunubë, e kur të jeni xhunubë, mos lexoni as një shkronjë të vetme.”5
Nga kjo ngjarje shohim argumentin e qartë se është i lejuar leximi i Kuranit në vete (përmendësh) edhe pa abdest. Prandaj, nga këto argumente që u përmendën, konstatojmë se është i lejuar leximi i Kuranit përmendësh edhe pa abdest dhe për këtë argumentet janë të qarta dhe bindëse.
Në fund të kësaj, dëshirojmë të theksojmë edhe atë se nëse thuhet se leximi i Kuranit pa abdest është i lejuar, kjo nuk nënkupton që ta bëjmë shprehi ta lexojmë atë gjithmonë pa abdest, pasi Muhamedi salallahu alejhi ue selem, edhe pse vërtetohet se ka lexuar Kuran pa abdest, gjithashtu vërtetohet në shumë hadithe të tjera se ai e ka urryer përmendjen e Allahut pa marrë abdest, madje tregohet se ai ka urryer ta kthejë edhe selamin pa qenë me abdest.
 

 

BURIMI: WWW.KLUBIKULTUROR.COM

 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja