Feja dhe shkenca janë gjithmonë në përputhje

25/07/2009 10:55

 Materialistët, për të mbuluar dështimet e tyre shkencore, shpesh fshihen pas metodave të ndryshme propagandistike. Më e përhapura prej tyre është ideja e “konfliktit mes shkencës dhe fesë”, e shumëpërfolur në botimet materialiste. Këto burime përfshijnë ngjarje artificiale, duke sugjeruar se përgjatë historisë feja ka qenë gjithmonë kundër shkencës dhe se shkenca mund të përparojë vetëm nëse feja lihet jashtë.

Megjithatë, një vështrim i shpejtë i historisë së shkencës do të ishte i mjaftueshëm për të nxjerrë në pah falsitetin e kësaj thënieje.

Kur shikojmë historinë e Islamit, shohim se shkenca u paraqit në Lindjen e Mesme në të njëjtën kohë me Kur’anin. Arabët paraislamikë besonin në të gjitha llojet e supersticioneve dhe nuk bënin asnjë vëzhgim në univers apo natyrë. Me ardhjen e Islamit ky komunitet u civilizua dhe duke filluar të ngrejë lart rëndësinë e dijes si dhe duke ndjekur urdhërat e Kur’anit, filloi të ekzaminojë botën rreth tij. Jo vetëm Arabia por edhe shumë vende të tjera si Irani, Turqia apo Afrika e Veriut u ndriçuan pasi përqafuan Islamin. Vënia në përdorim e arsyes dhe vëzhgimit e urdhëruar në Kur’an, solli një rritje të theksuar civilizimi në shekujt e 9-të dhe 10-të. Shumë shkencëtarë Muslimanë të asaj kohe bënë një numër të madh zbulimesh në mjaft fusha si astronomi, matematikë, gjeometri dhe mjekësi.

Rëndësia e dijes në Islam është mjaft e dukshme në hadithe të Profetit tonë, të Dërguarit të Zotit, paqja qoftë mbi të. Ka shumë prej këtyre haditheve që nxisin Muslimanët të fitojnë dije dhe ta përhapin atë. Disa prej tyre janë:

Ai që ecën drejt kërkimit të dijes, Zoti e bën të ecë drejt Kopshteve (Parajsës) … Të diturit janë trashëgimtarë të Profetëve, pasi profetët nuk lanë pas si trashëgim të mirat materiale por dijen. Prandaj kushdo që merr pjesë prej saj do marrë mirësi të bollshme. 44)

Një besimtar nuk ngopet kurrë së fituari dituri; ai e kërkon atë deri në vdekjen dhe hyrjen e tij në Parajsë. 45)

Tregohet se Profeti (s.a.u.s.) thoshte pas faljes së sabahut, “O Zot, të lutem Ty për dije të vlefshme, vepra të lejuara dhe furnizime të mira.” 46)

Një rol të rëndësishëm në transferimin e diturive shkencore në Europë si dhe në nxjerrjen e shkencëtarëve muslimanë ka luajtur Andaluzia, që ishte pika e zbulimeve revolucionare dhe përparimit shkencor sidomos në fushën e mjeksisë. Mjekët Muslimanë nuk u specializuan në një drejtim të caktuar, por zhvilluan studime në shumë fusha si farmakologji, kirurgji, oftalmologji (shkenca që merret me sëmundjet e syrit), gjinekologji, fiziologji, bakteorologji dhe higjenë. Një nga mjekët më të njohur andaluzë ka qenë Ibn Xhulxhul (?-992), i cili kreu studime intensive mbi bimët mjeksore dhe prodhoi vepra mbi historinë e mjeksisë dhe bimëve mjeksore. Një mjek tjetër i njohur i asaj kohe ka qenë Ebu Xha’far Ibn el-Xhezer (?-1009) nga Tunizia i cili zotëronte shkencën e terapisë së barnave për trajtimin e simptomave dhe sëmundjeve specifike dhe është autor i mbi 30 librave. Abd el-Latif el-Bagdadi (1162-1231) njihet për studimet e tij në anatomi. Ai rregulloi gabimet e bëra në të shkuarën mbi studimet anatomike të shumë kockave të trupit si ato të nofullës dhe kraharorit. Libri i Bagdadit, El-Ifade ue’l Itibar, u ribotua në vitin 1788 dhe u përkthye në latinisht, gjermanisht dhe frengjisht. Libri tjetër i tij, Mekeletun fi’l Hauas, fliste për pesë shqisat.

Anatomistët muslimanë përcaktuan saktësisht numrin e kockave në kafkën e njeriut dhe zbuluan ekzistencën e tre kockëzave në vesh. Një nga shkencëtarët muslimanë kryesorë që ka punuar për anatominë ishte Ibn Sina (980-1037), i njohur në perëndim si Aviçena. I edukuar në letërsi, matematikë, gjeometri, fizikë, shkenca natyrore, filozofi dhe logjikë, në rininë e tij Ibn Sinai njihej jo vetëm në Lindje por edhe në Perëndim. Vepra e tij më e njohur, El Kanun fi el-Tibb, i njohur si ‘Traktati’ në Perëndim, u shkrua në arabisht dhe pas përkthimit të tij në latinisht në shekullin e 12-të, u bë teksti kryesor i shkollave të Europës deri në shekullin e 17-të. Traktati trajton sëmundjet dhe medikamentet në një mënyrë sistematike. Përveç këtij ai shkroi më shumë se 100 libra mbi filozofinë dhe shkencat natyrore. Një pjesë e mirë e diturive mjeksore të përfshira në Traktat ende pranohet sot.

Zakarija Kazuini gjeti shumë gabime në studimet e zemrës dhe trurit që kanë qenë shtruar botërisht nga koha e Aristotelit. Faktet që ai nxorri rreth zemrës dhe trurit janë shumë të ngjashme me ato që ne dimë sot.

Veprat e Zakarija Kazuini mbi anatominë, Hamdullah el-Mustaufi el-Kazuini (1281-1350) dhe Ibn el-Nefis, hodhën themelet e mjeksisë moderne. Këta shkencëtarë treguan, në shekujt e hershëm të 13-të dhe 14-të, lidhjet midis zemrës dhe mushkërive, se arteriet mbartin gjakun e oksigjenuar dhe venat mbartin gjakun e papastër, se pasurimi i gjakut me oksigjen ndodh në mushkëri dhe ky gjak i oksigjenuar që kthehet në zemër i kalohet trurit dhe organeve të tjera të trupit nëpërmjet aortës.

Vëllimi i parë i veprës prej tre vëllimeve të Ali Bin Isa (?-1038) mbi sëmundjet oftalmologjike, e quajtur Tezkiratu’l Kahalin fi’l Ajn dhe Emreziha, i kushtohet totalisht anatomisë së syrit dhe përfshin informacion mjaft të detajuar. Vepra u përkthye në latinisht dhe gjermanisht.

Muhammed ibn Zakarija er Razi (Raziu) (865-925, Burhan el-Din Nefis (?-1438), Ismail Xhurxhani (?-1136), Kutb el-Din el-Shirazi (1236-1310), Mensur ibn Muhammed, Ebu el-Kesim el-Zahraui (Albukazi) janë disa nga shkencëtarët muslimanë të njohur për studimet e tyre në astronomi, matematikë, mjekësi dhe anatomi.

Ka gjithashtu dhe shumë shkencëtarë të tjerë që dhanë kontributet e tyre në fusha të tjera përveç mjeksisë dhe anatomisë. Për shembull, el-Biruni e dinte se Toka rrotullohej rreth boshtit të saj rreth 600 vjet përpara Galileut dhe përcaktoi perimetrin e saj rreth 700 vjet para Njutonit. Ali Kushçu, shkencëtar i shekullit të 15-të, ishte i pari që bëri një hartë të Hënës dhe një rajoni të Hënës iu dha emri i tij. Thebit ibn Kurrah (Tebiti), që jetoi në shekullin e 9-të, shpiku llogaritjet diferenciale shekuj përpara Njutonit. Batani, shkencëtar i shekullit të 10-të, është zhvilluesi i parë i trigonometrisë. Abdul Uafa Muhammed el-Bazxheni prezantoi për herë të parë në trigonometri funksionet “sekant-kosekant”. El-Huarizmi shkroi librin e parë mbi algjebrën në shekullin e 9-të. El-Maghribi shpiku ekuacionin e njohur sot si trekëndëshi i Paskalit, gati 600 vjet para Paskalit. Ibn el-Kejtem (Alhazen), i cili jetoi në shek. e 11-të, ishte themeluesi i optikës. Roxher Beikon dhe Kepleri përdorën veprat e tij dhe Galilei ndërtoi teleskopin duke iu referuar atyre. El-Kindi (Alkindus) prezantoi fizikën relative dhe teorinë e relativitetit rreth 1100 vjet përpara Ajnshtajnit. Shems el-din, që jetoi 400 vjet përpara Pastërit, ishte i pari që zbuloi ekzistencën e baktereve. Ali ibn el-Abas jetoi në shek. e 10 dhe ishte i pari që kreu ndërhyrje kirurgjikale ndaj kancerit. Në po këtë shekull, Ibn el-Xhesar paraqiti arsyet dhe metodat e trajtimit të lebrozes. Këta shkencëtarë muslimanë, ku vetëm disa janë përmendur këtu, kanë bërë zbulime të rëndësishme të cilat hodhën themelet e shkencës moderne.

Kur shikojmë qytetërimin perëndimor, shohim se shkenca moderne erdhi së bashku me besimin tek Zoti. Shekulli i 17-të, i njohur si “Epoka e Revolucionit Shkencor”, është e mbushur me shkencëtarë qëllimi kryesor i të cilëve ishte eksplorimi i universit dhe natyrës të krijuara prej Zotit. Të gjitha institutet shkencore të ngritura në vende të ndryshme si Britania dhe Franca, kishin si synim të tyrin “afrimin me Zotin duke zbuluar ligjet e Tij”. Kjo frymë vazhdoi edhe në shekullin e 18-të. Disa nga shkencëtarët e njohur për përkushtimin e tyre ndaj Zotit dhe që i dhanë kontribute të veçanta botës së shkencës ishin Njutoni, Kepleri, Koperniku, Bekoni, Galilei, Paskali, Bojli, Peili dhe Kuviè. (Për detaje të mëtejshme, ju lutem shikoni kapitullin “Shkencëtarë të fesë”).

Këta shkencëtarë besonin në Zot dhe praktikonin kërkimin shkencor me një frymëzim që rridhte pikërisht nga ky besim. Një nga treguesit më të mirë të kësaj ishin “Traktatet Brixhuoter” një seri botimesh e nxjerrë në Britani në shekullin e 19-të. Një numër shkencëtarësh kryen kërkime në fusha të ndryshme dhe përcaktuan objektin e studimit të tyre si “shenjat e harmonisë dhe rregullit që Zoti krijoi në univers dhe natyrë”. Metoda e praktikuar nga këta shkencëtarë njihet si “Teologjia Natyrale”, që do të thotë “të njohësh Zotin nëpërmjet natyrës”.

Ishte vepra Teologjia Natyrale: Evidenca të Ekzistencës dhe Vetive të Zotit, mbledhur nga Shfaqjet e Natyrës, botuar në vitin 1802 e Uilliam Peili, ajo që i hapi rrugën Traktateve Brixhuoter. Në këtë libër Peili dha shembuj të modelimit në natyrë duke shpalosur njohuri të qarta mbi anatominë.

Duke marrë si model veprën e Paleit, iu bë një thirrje anëtarëve të Shoqërisë Mbretërore të Londrës. Më pas u udhëzua që këta të zgjedhur duhet të shkruanin, shtypnin dhe botonin një mijë kopje të një vepre: “Mbi Fuqinë, Urtësinë dhe Mirësinë e Zotit të shfaqur në Krijimin” duke e ilustruar këtë vepër me të gjithë argumentet e arsyeshëm si për shembull shumëllojshmëria dhe formimi i krijesave të Zotit në botën bimore, shtazore dhe minerale; efekti i tretjes dhe i kalimit, ndërtimi i dorës së njeriut dhe një pafundësi të tjera argumentesh; dhe gjithashtu zbulime në artet antike dhe moderne, shkencë si dhe shtrirje në të gjithë letërsinë moderne.”

Kjo thirrje në kërkim të shenjave të ekzistencës së Zotit u përgjigj nga shumë shkencëtarë që nxorrën studime mjaft të vlefshme. Si pasojë e kësaj u prodhuan këto vepra:

(1)                     “Përshtatja e Natyrës së Jashtme ndaj Ndërtimit Moral dhe Intelektual të Njeriut”, nga Tomas Çalmers (1833).

(2)                     “Kimia, Meteorologjia dhe Tretja”, nga Uilliam Prut, (1834)

(3)                     “Historia, Zakonet dhe Instiktet e Kafshëve”, nga Uilliam Kirbi (1835)

(4)                     “Dora, modelim i dukshëm”, nga Sër Çarls Bell (1837)

(5)                     “Gjeologjia dhe Mineralogjia”, nga Din Baklend (1837)

(6)                     “Përshtatja e Natyrës ndaj Kushteve Fizike të Njeriut”, nga J. Kid, (1837)

(7)                     “Astronomia dhe Fizika e Përgjithshme”, nga Dr. Uilliam Uivëll (1839)

(8)                     “Fiziologjia Shtazore dhe Bimore”, nga P. M. Roxhet, (1840)

Traktatet Brixhuoter janë vetëm një shembull i takimit mes fesë dhe shkencës. Ndërhyrja më e madhe që qëndronte pas shumë studimeve shkencore të kryera si përpara ashtu dhe pas këtyre veprave ishte pranimi i universit të krijuar nga Zoti dhe perceptimi i gjithëfuqisë së Tij.

Devijimi i komunitetit shkencor nga kjo rrjedhë fillestare doli si pasojë e mbizotërimit të filozofisë materialiste në kulturën Perëndimore të shekullit të 19-të, si rezultat kjo i disa rrethanave të caktuara sociale e politike. Ky proces shfaqet plotësisht në teorinë e evolucionit të Darvinit dhe arrin kulmin, në kundërshtim direkt me pikëpamjen e mëparshme, duke e paraqitur shkencën dhe fenë si dy burime diturie kundërshtuese.

Në bazë të kësaj, zbuluesit britanikë Majkëll Beixhënt, Riçard Lei dhe Henri Linkoln bëjnë këto komente:

Për Izak Njutonin, një shekull e gjysëm para Darvinit, shkenca nuk ishte e veçuar nga feja, por përkundrazi, një pjesë e fesë dhe padyshim një mjet shërbyes i saj. …Kurse shkenca e kohës së Darvinit u kthye në një depo të vërtetë, duke u ndarë nga konteksti në të cilin ekzistonte më parë dhe duke u vetëquajtur një rivale absolute. Si rezultat, feja dhe shkenca nuk po punonin më në harmoni por ndaluan përballë njera-tjetrës dhe njerëzimi vazhdimisht detyrohej të zgjidhte njërën prej tyre. 47)

Sot ky konflikt mes fesë dhe skencës duket se bie në kundërshtim me vetë zbulimet shkencore. Feja deklaron se universi u krijua nga asgjëja dhe shkenca ka gjetur provat për këtë. Feja na mëson se gjallesat u krijuan nga Zoti dhe shkenca na ka ofruar evidenca të kësaj në modelimin e zbuluar tek gjallesat. Në librin e tij, Fati i Natyrës, Majkëll Denton shkruan: “Më në fund shkenca, që për shekuj ka qenë shkrirja e madhe mes ateizmit dhe skepticizmit, është bërë, në këto ditë të fundit të mijëvjecarit të dytë, ajo që Njutoni dhe ndjekësit e tij dëshironin me aq entuziazëm – ‘mbrojtësja e besimit antropocentrik’” 48)

Ky përfundim i arritur nga shkenca ka ndihmuar në rritjen e numrit të shkencëtarëve që kanë besim të fortë tek Zoti. Biokimisti i njohur Majkëll Behe thotë për këtë fakt, “Rastësisht, shkencëtarët që besojnë në Zot apo në një realitet përtej natyrës janë shumë më të përhapur se ç’thonë historitë e zakonshme të mediave. Nuk ka arsye të mendosh se shifra prej 90 për qind e popullatës së përgjithshme që beson në Zot të jetë shumë e ndryshme mes shkencëtarëve.” 49)

Në krahasim me përfundimet e vendosura nga shkenca, gjithçka që mund të bëjnë materialistët është vënia në veprim e disa presioneve dhe përpjekja për të frikësuar pjesën tjetër të komunitetit shkencor. Në Perëndim një shkencëtar duhet të bjerë dakord me disa parashtrime për t’u ngritur në pozitë, për të fituar gradë shkencore apo për të botuar artikujt e tyre në revista shkencore. Kushti numër një i kërkuar është pranimi i teorisë së evolucionit pa kundërshtime. Për këtë arsye shumë shkencëtarë janë të detyruar të mbajnë lart mitin e Darvinit duke mohuar shenjat e krijimit, edhe pse mund të jenë kundër kësaj. Në një artikull të revistës Amerikani shkencor, në numrin e shtatorit të 1999, të titulluar “Shkencëtarët dhe feja në Amerikë”, sociologu i Universitetit të Uashingtonit, Rodnei Stark tregon presionet e ushtruara tek shkencëtarët:

Ka 200 vjet që, nëse do të jesh një shkencëtar, duhet të lirosh mendjen nga prangat e besimit. …Nëpër universitetet kërkimore njerëzit fetarë e mbyllin gojën, kurse jofetarët diskriminojnë. Në shkallët më të larta, ka një sistem shpërblimi në të qenët jofetar. 50)

Një faqe tjetër e luftës së materialistëve kundër shkencës është metoda propagandistike që përmendëm më parë. Në qendër të këtyre metodave qëndrojnë moto të tilla si “feja është kundër shkencës” ose “shkenca duhet të jetë materialiste”. Le të shikojmë tani pse këto thënie janë jologjike dhe të pavërtetueshme.

 

Reagimi i Kishës Mesjetare Kundër Shkencëtarëve

 

Qarqe të ndryshme anti-fetare zakonisht përdorin veprimet dhe reaksionet e gabuara të Kishës Mesjetare si një armë kundër fesë. Thuhet se Kisha ndikoi në prapambetjen e Europës dhe i dha asaj shumë varfëri. Në këto përpjekje është i nënkuptueshëm qëllimi për të shoqëruar bashkë Kishën Mesjetare me fenë dhe për të përhapur mesazhin që “nëse mbizotëron feja, ne do përfundojmë në errësirën e Mesjetës”. Megjithatë, feja e vërtetë nuk reflektohet në veprimet dhe reagimet e Kishës Katolike.

Kisha Katolike, duke braktisur zbulesat e vërteta të sjella nga profeti Jezus, praktikoi disa veprime jofetare. Padyshim që shkenca vuajti shumë nga duart e Kishës, e cila udhëhiqej nga klerikë që i shërbenin interesave të pak njerëzve duke hequr kështu dorë nga burimet e saj hyjnore. Ky zhvillim historik, sidoqoftë, nuk mund t’i mvishet fesë Islame. Islami nuk bazohet mbi supersticionet e “klerikëve” të tij por vetëm mbi Kur’anin, që është fjala e Zotit.

Një shembull kuptimplotë, që tregon se jotoleranca e Kishës Katolike nuk ka të bëjë aspak me fenë, është se shkencëtarë si Galilei, të persekutuar nga Kisha, ishin në fakt njerëz të devotë. (Besimet e këtyre njerëzve do të shtjellohen më gjerë në pjesën e dytë të librit). Ky shembull tregon edhe njëherë se presionet që institucionet fetare ushtruan mbi shkencën nuk janë pasojë e besimit por e shtrembërimit fetar.

 

Kriticizmi mbi Ungjillin dhe Teuratin

 

Shumë materialistë, që duan të paraqesin fenë dhe shkencën si jomiqësore, jo vetëm citojnë shembuj të praktikave të Kishës Katolike por gjithashtu tregojnë pjesë të veçanta nga Teurati (Testamenti i Vjetër) apo Ungjillin, për të treguar se si ato bien në kundërshtim me zbulimet shkencore. Megjithatë ekziston një e vërtetë që ata nuk e marrin në konsideratë ose pretendojnë se nuk e dinë: Ungjilli dhe Teurati janë tekste të modifikuara. Të dy përmbajnë shumë supersticione të shkruara nga njerëzit. Si rrjedhim do ishte e gabuar të merrje këto libra si burime referimi të fesë.

Kur’ani, nga ana tjetër, është shpallje e Zotit. Ai nuk është modifikuar aspak; as edhe një shkronjë e tij është ndryshuar. Për këtë arsye, nuk ka kundërshtime apo gabime në Kur’an. Të gjitha faktet e përmendura nga Kur’ani ecin paralel me gjetjet shkencore. Për më tepër, shumë fakte shkencore, që do mund të zbuloheshin vetëm në ditët tona, i janë treguar njerëzve në Kur’an 1400 vjet më parë. Kjo është një mrekulli e rëndësishme e Kur’anit dhe është një nga provat më të forta se ai është fjala e Zotit. (Disa nga faktet shkencore të treguara në Kur’an do të paraqiten në kapitujt në vijim).

Duke e ditur këtë, materialistët, të paaftë të përmendin ndonjë vers të Kur’anit për qëllimet e tyre, citojnë vetëm Ungjillin apo Teuratin për të shprehur pikëpamjet e tyre anti-fetare.

 

Thënia se “Shkenca duhet të jetë Materialiste”

 

Një mjet tjetër propagandistik i përdorur nga shkencëtarët është shprehja “Shkenca studion vetëm materien, prandaj ajo duhet të jetë materialiste”.

Faktikisht kjo është vetëm një lojë fjalësh, siç mund ta vërejë çdokush që mendon pak. Është e vërtetë se shkenca studion materien por kjo nuk do të thotë që ajo duhet të jetë materialiste; pasi “të studiosh materien” dhe “të jesh materialist” janë dy gjëra shumë të ndryshme.

Kur ne studiojmë materien, ne arrijmë në përfundimin se kjo materie përmban në vetvete dituri dhe modelim shumë të madh për të qenë krijuar vetë. Mund të vlerësojmë që kjo dituri dhe modelim janë krijuar nga një veprues i jashtëm inteligjent, edhe pse nuk mund ta shohim atë. Le të konsiderojmë për shembull një shpellë, të cilën nuk dimë nëse e ka vizituar njeri tjetër para nesh. Nëse, kur hyjmë brenda, shohim vizatime mahnitëse dhe madhështore në muret e saj, ne arrijmë në përfundimin se “duhet të ketë qenë një veprues inteligjent para nesh i cili padyshim ka realizuar këto vepra”. Ne mund të mos e shohim kurrë këtë veprues inteligjent, por e njohim ekzistencën nga punët e tij.

Pikërisht në këtë mënyrë shkenca studion natyrën, zbulon se ka një rregull në të, i cili nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë me anë të faktorëve materialë, dhe se ky modelim ka filluar së ekzistuari vetëm nga Urtësia mbi-materiale. Me fjalë të tjera, bota materiale është e tejmbushur me shenjat evidente të Fuqisë Krijuese të Zotit.

 

Përafrimi jotolerant dhe dogmatik i materialistëve

 

Dikush që pranon një pikëpamje të caktuar është i lirë të provojë nëse ajo mund të verifikohet shkencërish apo të kryejë kërkime shkencore për atë fakt. Për shembull, një person mund të thotë se toka është e sheshtë dhe të mundohet ta mbështesë pohimin e tij. Ajo që ka rëndësi është se si ky person i rregullon të dhënat shkencore që ka mbledhur. Një shkencëtar duke vlerësuar rezultatet shkencore objektivisht nuk do jetë në gjendje të gjejë ndonjë provë që toka është e sheshtë, përkundrazi do gjejë prova të shumta që ajo është eliptike. Në këtë rast, ky person duhet të pranojë të vërtetën pa shumë paragjykime dhe të heqë dorë nga ajo që besonte në fillim.

E njëjta gjë qëndron dhe për materialistët. Shkenca ka provuar se materia nuk është një qenie absolute, por ajo ka pasur një fillim. Për më tepër ajo ka treguar se ka një modelim marramendës në natyrë. Gjithashtu, shkencëtarët materialistë studiues të natyrës kanë parë që teoria e tyre është e paaplikueshme dhe se e vërteta është krejt e kundërta e thënies së tyre.

Është mjaft interesante si këta persona, me një përkushtim aq të verbër ndaj materializmit, shfaqin një këmbëngulje habitëse ndaj “besimit” të tyre. Një gjenetist i Harvardit, evolucionisti dhe materialisti i njohur Riçard Leuontin, shfajëson kështu materializmin e tij dogmatik:

Nuk është se metodat dhe institucionet e shkencës na detyrojnë të pranojmë një shpjegim material të fenomeneve të botës, por përkundrazi ne vetëdetyrojmë një përkrahje a priori të shkaqeve materiale për të krijuar një aparat investigimi dhe një bashkësi konceptesh që prodhojnë shpjegime materiale, pavarësisht se janë kundër intuitës apo habitëse. Për më tepër, ky materializëm është absolut, prandaj nuk mund të lejojmë Hyjnoren të na trokasë në derë. 51)

Këtu Leuontin përshkruan mendimin e të gjithë materialistëve. Materialistët së pari pranojnë ideologjinë materialiste mbi gjithë të tjerat dhe pastaj kërkojnë prova në mbështetje të ideologjisë së tyre. Kjo do të thotë se materializmi nuk ka ardhur si rezultat i kërkimeve shkencore të materialistëve, por është një paragjykim që ata imponojnë mbi shkencën.

E njëjta idè mishërohet dhe në fjalët e një evolucionisti tjetër. Në librin e tij të quajtur Origjinat: Udhëzuesi i Krijimit të Jetës në Tokë i një Skeptiku, evolucionisti i shquar Robert Shapiro përmend kështu nënshtrimin e tij ndaj teorisë së evolucionit:

Mund të vijë një ditë në të ardhmen ku të gjitha eksperimentet kimike të kryera për zbulimin e një origjine të mundshme të jetës të kenë dështuar. Akoma, provat e reja gjeologjike mund të tregojnë një shfaqje të papritur të jetës mbi tokë. Së fundmi, ne mund të kemi eksploruar universin dhe të mos kemi gjetur shenja jete, apo proces që çon drejt jetës, gjëkundi tjetër. Në këtë rast shumë shkencëtarë mund të zgjedhin fenë për përgjigjet e tyre. Kurse disa të tjerë, përfshrë dhe mua, do zgjedhin dhe shpjegimet e mbijetuara shkencore me probabilitet më të ulët, me shpresën e zgjedhjes së atij që është më i mundshëm se të tjerët. 52)

Këtu, ajo që Shapiro nënkupton kur thotë “shpjegime shkencore”, është aktualisht “shpjegime materialiste”. Ky përkushtim i verbër ndaj materializmit e ka çuar Shapiron dhe mijëra të tjerë si ai t’i nënshtrohen një mosbesimi fanatik. Çfarë ata thonë në të vërtetë është, “nuk ka rëndësi çfarë provash paraqiten, ne nuk do të besojmë në Zot”.

Ç’është më interesante, ky obsesion nuk është specifik vetëm për materialistët e tanishëm. Në Kur’an Zoti shpalos fakte të rëndësishme për këta njerëz të cilët kanë zgjedhur të mbeten mosbesimtarë. Për shembull, egjiptianët, që i thonin profetit Moisi, i cili i tregoi atyre shumë mrekulli, “nuk ka rëndësi çfarë Shenjash na sjell ti për të na magjepsur, ne nuk do të të besojmë” (Sure el-A’raf: 132), kishin të njëjtat prirje si materialistët sot. Zoti i referohet këtyre njerëzve si:

 

Ka prej atyre që të dëgjojnë ty. Po Ne kemi krijuar mbulesë mbi zemrat e tyre që të mos e kuptojnë atë dhe shurdhim në veshët e tyre. Edhe sikur t’i shohin të gjitha Shenjat, ata nuk besojnë, kështu kur vijnë tek ti e polemizojnë, ata që mohuan thonë: “Ky nuk është tjetër vetëm se mit i hershëm”.

(Sure En’am: 25)

 

Ata u betuan me një betim të fortë në Allahun, se nëse u vjen atyre ndonjë mrekulli, do ta besojnë. Thuaj:”Çështja e atyre mrekullive është te Allahu”. E ku e dini ju, se ndoshta kur t’u vijë një mrekulli, akoma nuk do t’u besojnë.

(Sure En’am: 109)

 

Burimi:
Kur`ani prin rrugen drejt shkences
Harun Yahya

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja