DONALD S. ROCKWEL, poet, kritik letrar (SHBA)
08/10/2008 15:24Rrezet e Dritës së Vërtetë, rrezet e Fesë Islame, po depërtojnë në çdo skaj të botës, bile edhe në shtetin më të zhvilluar, më të fuqishëm e më demokratik, siç e konsiderojnë veten Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Listës së gjatë iu shtua edhe një musliman amerikan me emrin Donald S. Rockwell, i cili është poet dhe kritik i njohur letrar në Amerikë.
Për ç’arsye e pranoi Fenë Islame ky i konvertuar amerikan, tregon deklarata e tij të cilën e botoi shtypi amerikan, dhe ai i Lindjes së Mesme.
Muslimani i ri amerikan, Donald S. Rockwell, thotë:
“Janë disa arsye themelore që më tërhoqën ta pranoj Fenë Islame, por më kryesoret janë: thjeshtësia, atmosfera e qetë që mbizotëron nëpër xhami, besnikëria e besimtarëve muslimanë, frymëzimi i tyre dhe besimi që ata kanë në All-llahun, të Cilit i përgjigjen pesë herë në ditë, posa e dëgjojnë ftesën (ezanin) për lutje (namaz).
Kur vendosa të pranoja Islamin, zbulova arsye të thella që i vërtetojnë këto fenomene, ndërmjet të cilave është thjeshtësia e jetës së Pejgamberit Muhammed (a.s.), i cili këshillohej me bashkëpunëtorët e tij, ndezi dashurinë e mirësinë ndër bashkëkohasit, i rregulloi të drejtat e grave etj.
Këto mësime e porosi, si dhe shumë të tjera, më bindën ta pranoja Fenë Islame. Muhammedi (a.s.) erdhi me një fe e cila është sistem i përsosur për një jetë të natyrshme, e jo besimi i verbër...
Toleranca e Fesë Islame ndaj besimeve të tjera e bën për vete çdo kërkues e gjurmues të lirisë e të së vërtetës. Muhammedi (a.s.) i urdhëronte besimtarët muslimanë, siç porosit Kur’ani, që besimtarët hebrenj dhe të krishterë (Ehli Kitab), pra ata që i kanë Librat hyjnorë, të nderohen në besimet e tyre! Kjo porosi dhe ky nderim ndaj mësimeve të Abrahamit (Ibrahimit), Mojsiut (Musaut), Krishtit (Isait), paqja e shpëtimi i Zotit qofshin mbi të gjithë ata si të Dërguar të Zotit, pa dyshim është një cilësi superiore në krahasim me religjionet e tjera.
Çlirimi e pastrimi absolut nga idhujtaria është një argument që shpreh fuqishëm pastërtinë dhe madhështinë e Fesë Islame. Mësimet e Muhammedit (a.s.) nuk udhëhiqen nga flaka e fanatizmit, por nga drita e arsyes. Kur’ani, Libri i Shenjtë, qëndron i pandryshuar që nga koha e Muhammedit (a.s.), kur iu zbulua, pa iu ndryshuar asnjë shkronjë, asnjë shprehje, asnjë fjalë! Kujdesi për shëndetin personal e shoqëror si dhe pastërtia ishin disa prej porosive kryesore të Pejgamberit të dashur...
Kur i vizitoja xhamitë në Stamboll, Damask, Jerusalem, Fes, Algjer dhe në qytete të tjera të vendeve islame, më kaplonte një ndjenjë e fuqishme për Fenë Islame, sepse thjeshtësia e tyre përmbushte praninë Hyjnore më tepër se çdo rit, pikturë, skulpturë ose muzikë që kanë tempujt e tjerë...
Unë gjithmonë jam magjepsur nga Demokracia Islame. I varfri dhe i pasuri janë në një rrafsh në obligimet fetare, në namaz, para Zotit, në xhami, ku i luten Atij, e adhurojnë, i nën-shtrohen vullnetit të Tij me përvuajtje, etj.
Muslimanët nuk e pranojnë ndërmjetësinë ndërmjet njeriut si krijesë dhe Zotit si krijues, as rrëfimin ose të rrëfyerit.
Muslimanët Zotin e quajnë Krijues Fuqiplotë të Gjithësisë dhe Burim të Ekzistencës, pra nuk pranojnë ndërmjetës nga prijësit fetarë ose të tjerë.
Vëllazërimi i besimtarëve, humaniteti, solidariteti pa dallim ngjyre, race a gjinie, janë disa nga arsyet kryesore që më inkurajuan në pranimin e Fesë Islame.
———
Back